Presidenti Thaçi ka një porosi për Lajçakun

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se emisari i BE’së, sllovaku Mirsolav Lajçak është i mirëseardhur në vizitën e tij nëse vjen me çasjen se Kosova është vend i pavarur, teksa shtoi se qytetarët kanë nevojë për liberalizimin e vizave.

Në një konferencë për media, Thaçi ka thënë se nuk është i informuar për agjendën e Lajçak në Kosovë, derisa nuk tregoi se a do të takohen.

“S’jam i informuar për agjenden e Lajçak në Kosovë. Nuk është koha për hapjen e çështjeve teknike për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Lajçak duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur dhe nëse vjen me çasje se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, atëherë është i mirëseardhur.”, ka thënë Presidenti Thaçi.

Tutje, ai ka shtuar se Lajçak duhet të kuptojë s eqytetarët e Kosovës kanë nevojë për heqjen e vizave, proces i cili ka filluar para më shumë se një dekade.

“Mirëpo ai duhet të kuptojë se kosovarët kanë nevojë për heqjen e vizave, e jo për fjalime të thata.”, ka thënë Presidenti.

Në fund, Thaçi ka shtuar se ka mirëkuptim dhe koordinim me Kryeministrin Hoti rreth çështjeve të brendshme dhe atyre të jashtme.

Ai ka shtuar se Kushtetuta e tregon të qartë se kush i ka komptencat për dialogun me Serbinë, e që sipas Presidentit i takojnë atij.