Prizren, arrestohen dy persona për vjedhje të rëndë

Në Prizren, gjatë ditës së sotme Policia ka arrestuar dy të dyshuar, A.M. dhe A.K., për veprën penale vjedhje e rëndë.

Policia thotë se personat e dyshuar dyshohet të jenë përfshirë në një rast të ndodhur me 14 prill 2019 në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prizren.

“Të dyshuarit duke vepruar në mënyrë të vrazhdë ia kanë marrë nga dora viktimës kuletën, në të cilën ka pasur dokumente personale dhe të holla në vlerë rreth 80 euro”.

“Në vazhdim të dyshuarit dyshohet se kanë kryer edhe dy vjedhje, raste të ngjashme me këto, të cilat vepra i kanë pranuar në prezencën e prindit dhe avokatit mbrojtës. Të njëjtit konsiderohen si recidivistë të këtyre veprave penale”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Policia.

Me vendim të prokurorit të dyshuarve u shqiptohet masa e ndalimit policor për 24 orë.