“Problemi është ai dhe jo Kosova”, Vuçiq për deklaratën e Kurtit: Kompliment për mua

“Ne ende kemi probleme me Serbinë, Kosova nuk është problem. Problemi është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi që mendon dhe flet si në vitet 90 të shekullit të kaluar”, kishte thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ditë më parë.

Këtë deklaratë e ka komentuar Vuçiq nga Dubai për TV Prva, duke thënë se për atë është një kompliment, njofton Klan Kosova.

“Kurti tha se Kosova ka një problem të madh, i cili ka emrin dhe mbiemrin e vet (Aleksandar Vuçiq). Unë jam i lumtur sepse unë dhe ekipi im po bëjmë hapa të mëdhenj. Ky në fakt është një kompliment”.

Vuçiq tha se 50 përqind e gazetave shqipe në Kosovë janë kundër tij, njësoj sikurse në Kroaci dhe Mal të Zi.

Ai nga atje foli edhe për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se është thelbësore për ta që s’e njohin shtetin e Kosovës dhe s’i pranojnë targat e saj.

Derisa për prezencën e KFOR-it tha se është mbrojtja më e mirë dhe e vetme për serbët në Kosovë
“edhe pse serbët nuk e duan shumë KFOR-in për shkak të bombardimeve të NATO-s”.

Vuçiq foli edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se Kosova nuk do ta pranojë atë.

“Por a besoj se ata do ta pranojnë Asociacionin? Nuk u besoj aspak atyre. Për këtë çështje, unë e di me kë kam të bëj, por kurrë nuk do të fyej”.