Projektet më madhore që Shpend Ahmeti synon t’i nis këtë vit

Këtë vit, Prishtina për herë të parë ka një buxhet prej 91 milionë eurove, që është rezultat i kalimit të Ligjit për Kryeqytetin.

Komuna e Prishtinës po ballafaqohet në vazhdimësi me miliona euro teprica, pasi po i dështojnë projektet për arsyeje të ndryshme. Por, nëse do të jetësohet buxheti i këtij viti, atëherë kryeqyteti do të ketë projekte më madhore në mandatet e kryetarit, Shpend Ahmeti, shkruan lajmi.net.

Në buxhetin e vitit 2020, i cili është miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës e të cilin e ka parë lajmi.net, tek pika e investimeve kapitale është shkruar se do të ndërtohet një tunel 300 metra në rrugën “Agim Ramadani”. Vlera për këtë projekt është shënuar të jetë 2,493,008.00 euro.

Tuneli në rrugën “Agim Ramadani”, do të ndërtohet nga menza e studentëve deri tek komuna e më pas tek “Vellusha”. Tuneli do të ndërtohet për t’i lëshuar rrugën vazhdimin të sheshit “Ibrahim Rugova” për ta lidh pjesën tjetër të qytetit me lagjen “Vellusha”.

Sipas autoriteteve komunale këtë do të bëhet lidhshmëria e sheshit ‘Ibrahim Rugova’ me pjesën e vjetër të qytetit të Prishtinës. Që të lidhet më mirë, kjo pjesë është paraparë që të shtrohet në kalldrëm.

Investimi do të jetë për dy vite, pasi do të jenë dy faza.

Njëri ndër projektet më madhore që pritet të nis në këtë vit, të paktën sipas planifikimit të buxhetit 2020, është mbyllja e bulevardit “Gjorgj Bush”. Kjo është rruga që shkon prej Grandit deri te Katedralja. Komuna e ka titulluar projektin “Ndërtimi i sheshit “Gjorgj Bush (nga hoteli Grand deri te Katedralja)”, për të janë ndarë 500 mijë euro. Ky projekte është në kuadër të projektit “Parkingu nëntokësor te Fakultetit Filologjik” për të cilin komuna ka nënshkruar kontratë.

Rruga “Haxhi Zeka” e cila është shumë problematike, pasi shtëpitë janë buzën asfaltit është menduar që të rikonstrukturohet në këtë vit. Kjo është rruga kryesore që të dërgon në lagjen Kolovica dhe për rikonstruktimin e saj komuna ka ndarë 450 mijë euro. Po ashtu është paraparë edhe rikonstruktimi i rrugës “Isa Kastrati” për të cilën janë ndarë 385 mijë euro. Po ashtu për rikonstruktimin e rrugës “Bajram Kelmendi” janë ndarë 250 mijë euro. Ndërsa, 300 mijë euro janë planifikuar për projektin “Ndërtimi i rrugës që lidhë rrugën 1 tetori (lagja Velania) me rrugën “Isa Kstrati”.

Bënë pjesë në 100 zotimet e kryetarit Ahmeti, por “tregu i ri” i qytetit i cili do të metohët të bëhet edhe Ndërmarrje publike nuk nisi në vitin 2019 ashtu siç ishin planet. Në buxhetin për vitin 2020 është paraparë pozicioni “Tregu i ri i qytetit (qarshia e vjetër)” për të cilin janë ndarë 1.5 milionë euro.

Tash për tash Prishtina ka Tregun e Madh, i cili është një katrahurë, por më mirë nuk qëndron as tregu në lagjen Ulpiana. Tregu i ri i Qytetit do të jetë në afërsi të Komunës së vjetër. Një tjetër treg që pritet të marr pamje të re është edhe ai i Ulpianës, për të cilën i pari i Prishtinës kishte bërë të ditur se është zgjedhur edhe projekti arkitektonik.

Me këtë Komuna po pretendon të bëjë disa renovime në Pallatin e rinisë dhe brenda kësaj hapësirë të vendosë tri institucione. Pra, të zhvendosë aty shkollën e muzikës, “Prenk Jakova” , po ashtu të vendos aty fondacionin “Dua Lipa” që ka ndarë 150 mijë euro për t`i organizuar studio inçizuese për fëmijët e talentuar. 800 mijë euro janë ndarë për një projekt i cili quhet “Shkolla e muzikës, Dua Lipa dhe Bonevet (Pallati I Rinisë –ish ASK).

Po ashtu, në hapësirat e pallatit do të kenë hapësirë edhe zyret e “Bonevet”. Ky institucion është hapësirë krijuese ku fëmijët nxitën që të zbulojnë talentet dhe aftësitë e tyre dhe t’i zhvillojnë ato. “Bonevet” është një institucion arsimor jofitimprurës dhe joformal i themeluar në vitin 2014 nga fondacioni privat UNË E DU KOSOVËN me seli në Prishtinë.

Në buxhet janë të ndara 1.5 milionë euro për sallën koncertale në Prishtinë.

Propozimi për ndërtimin e sallës koncertale në ish-objektin e shtëpisë së mallrave “Gërmia”, në sheshin e kryeqytetit zgjoi pakënaqësi te një pjesë e qytetarëve dhe organizatave të ndryshme, që nisën një peticion për ta ndaluar këtë veprim.

Projekti ishte paraparë të nisë në vitin e kaluar, por komuna nuk kishte arritur të gjejë një lokacion. Si rezultat i kësaj, ishte shfaqur frika edhe për humbjen e disa fondeve të Komisionit evropian. Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, kishte raportuar në Komisionin për Integrim lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ajo ka përmendur edhe ndërtimin e sallës koncertale dhe sipas saj, mjetet për këtë sallë janë ndarë për vitin e ardhshëm dhe nuk janë humbur.

1.5 milionë euro janë të ndara edhe për ndërtimin e sallës sportive me 3000 ulëse për sporte me dorë dhe sporte marciale, që do të mundësojë mbajtjen e garave kombëtare e ndërkombëtare.

Edhe në këtë vit, Komuna e ka ripërsëritur premtimin e ndërtimit të disa shkollave. Sipas Komunës shkolla “7 Shtatori” do të rinovohet në tërësi me ndihmën e Qeverisë së Luksenburgut dhe aty do të zhvendoset shkolla “Gjin Gazulli”, për të komuna ka ndarë 900 mijë euro. Ndërsa 4 shkolla të tjera do të ndërtohen përmes projektit me Bankën Botërore, në lagjet Sofali, Veternik, Kodra e Trimave dhe Mati. Me këtë projekt do të plotësohet infrastruktura dhe përmbyllet cikli i rrjetit të objekteve shkollore që i mbulon të gjitha lagjet e Prishtinës.

Thertorja e Prishtinës është poashtu një projekt i ri i planifikuar për vitin e ardhshëm e që do të zgjedhë përfundimisht problemin e therrjes së pakontrolluar të kafshëve, që nuk i përmbushin kushtet higjieno-sanitare. Me një buxhet prej 500 mijë euro do të ndërtohet një objekt i thertores sipas standardeve dhe që do të i plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme të parapara për ruajtjen e shëndetit publik.

Komuna pretendon që në këtë vit të nis me procedurat e projektit më madhor që ka nisur ndonjëherë në Prishtinë, atë të nërtimit të unazës së qytetit, i cili pritet të jetë mbase projekti më i madh infrastrukturor me një kosto prej mbi 100 milionë euro dhe për këtë është siguruar financimi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Momentalisht në procedura tenderuese është konsulenca e cila deri në qershor 2020 do të e përgatisë dizajnin përfundimtar të kësaj unaze, në mënyrë që në nëntor 2020 të fillojnë procedurat për ndërtimin e unazës 27 kilometra të gjatë. Ndërtimi i kësaj unaze meton të shkarkojë trafikun në qytet duke mundësuar që të shfrytëzohet rruga tranzitore, për të gjithë ata që nuk e kanë të nevojshme hyrjen në qytet.

Që disa vite komunës po i dështon ndërtimi i QMF-së në Veternik, e cila po përsëritët në vazhdimësi në buxhet. Edhe në këtë vit komuna ka ndarë 400 mijë euro për ndërtimin e saj.

2019-ta ka qenë viti më i keq investiv në Komunën e Prishtinës që prej se drejtimin e pushtetit në kryeqytet e ka marr Shpend Ahmeti. Kështu flasin dokumentet e hartuara nga Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës në vitin 2019 ka pasur një buxhet të miratuar në vlerë prej 87 milionë e 733 mijë e 825 euro. Sipas të dhënave të Komunës që i ka parë lajmi.net për 11 muaj, ose nga 1 janari deri më 30 nëntor buxheti është shpenzuar në vlerë prej 65,818,686.18. Veçmas për investime kapitale kanë qenë 48,358,014.75, për 11 muaj janë shpenzuar vetëm 13,841,717.68 euro, pra me 1 dhjetor komuna i ka pasur në llogari edhe 34 milionë e 821 euro të pa shpenzuara nga investimet kapitale.