Njeriu i VV’së, kryeshef në KRU “Gjakova” arrestohet në Bullgari – kishte urdhërarrest ndërkombëtar për trafikimin e njerëzve

Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Arrestimi i Krasniqit ka ndodhur qysh me 19 shkurt 2024, merr vesh gazeta online Reporteri.net. Ai u kap nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi, ish-kandidati i LVV-së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

Atij, një gjykatën e qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali.

Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tri vepra të ndryshme penale.

Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar një muaj më herët, me 16 janar 2024.

Mediumi ka pyetur Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe autoritet tjera të sigurisë në lidhje me këtë arrestimin, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka kthyer përgjigje për konfirmimin e rastit.

Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës, nga Bordi i ri i emëruar nga Qeveria e Kosovës ishte zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asamblist.