Prokurori i Shtetit dhe ATK bashkëpunojnë për luftimin dhe parandalimin e ekonomisë jo-formale

0
343

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim Drejtorin e ri të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj, me të cilin ka biseduar për aspektet që ndërlidhen me parandalimin dhe luftimin e veprave penale të evazionit fiskal, dukuri këto që dëmtojnë në masë të madhe ekonominë e vendit.

Gjatë këtij takimi, ata folën edhe për thellimin e bashkëpunimit ndër-institucional mes Prokurorit të Shtetit dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka potencuar se prioritet kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ekonomike, krimeve financiare dhe veprave tjera penale, me ç’rast tha se ATK do të ketë përkrahje të plotë në këtë drejtim.

Ndërkaq, Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se prioritet i tij është luftimi dhe parandalimi i evazionit fiskal, dhe për këtë ai tha se është e nevojshme mbështetje nga Prokuroria e Shtetit.

Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të rritjes së efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, krimeve ekonomike dhe financiare.