Prokuroria e Hagës me bastisje në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Thaçit, Bashkim Smaka e Blerim Shala

Prokuroria e Specializuar e Hagës po realizon bastisjes në shtëpitë e së paku dy ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, Bashkim Smaka e Blerim Shala.

Lajmin e kanë konfirmuar disa burime të ndryshme për gazetën Nacionale.

Nacionale ka siguruar edhe fotografi nga shtëpia e Smakës ku po qëndron një veturë e EULEX-it.

Avokati Artan Qerkini i ka konfirmuar bastisjet në një deklaratë për Nacionalen.

“Është duke ndodhur një bastisje, por asnjë informacion tjetër nuk mund të ndajë për momentin”, ka thënë ai.

Nacionale ka sigruar edhe pamje nga shtëpia e Smakës.

Prokuroria e Specializuar e Hagës kohëve të fundit ka pasur disa aksione të ndryshme të ngjashme.

ZPS-ja ua ka konfiskuar telefonat një pjese të madhe të ish-ushtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa.

Bastisje kishte pasur edhe në shtëpinë e heroit Fahri Fazliu dhe në familjen e Hakif Zejnullahut.

Krejt këto aksione ata i kanë arsyetuar me tentimet për të ndikuar në dëshmitarë.

Së fundmi, Prokuroria e Hagës ka arrestuar Sabit Januzin e Ismet Bahtijarin, me pretekstin se kanë tentuar të ndikojnë tek një dëshmitar.

Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar më 5 tetor të këtij viti në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë (DHSK), ku janë dërguar në qendrën e paraburgimin.

Ata po dyshohen se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara.

Në paraqitje e tyre të parë, dy të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që po rëndojnë ndaj tyre.

“Jo, fajtor”- u deklarua fillimisht Ismet Bahtijari.

Pas tij, i pafajshëm u deklarua edhe Sabit Januzi.

“Deklarohen plotësisht i pafajshëm për çdo lloj aktakuze që është ngritë kundër meje”- tha Januzi.