Prokuroria në Hagë synon që gjykimi i krerëve të UÇK-së të jetë më i gjatë se ndaj Millosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij

Një nga pyetjet më të mëdha, përgjigjen e së cilës opinioni në Kosovë dëshiron ta dijë, është ajo se sa do të zgjasë gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë tash e një vit e gjysmë.

Dokumentari “Devijimi Special”, i transmetuar në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan, sjell krahasimin mes orëve të përdorura në rastin e të akuzuarve serbë dhe kroatë në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës dhe kërkesën e Prokurorisë Speciale për kohën që thotë se i nevojitet për ta paraqitur rastin e saj ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Prokuroria Speciale po tenton që politikanët kosovarë t’i vërë para një gjyqi shumëfish më të gjatë sesa të ish bashkëpunëtorëve të Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, duke kërkuar që të përdorë më shumë se 6-fishin e kohës së përdorur në rastet e të akuzuarve serbë për krimet e kryera në tri luftërat e Ballkanit – në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.

Prokurori Jack Smith ka kërkuar 1 mijë e 863 orë që ta paraqesë çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kjo nënkupton që procesi gjyqësor të zgjasë afërsisht 10 vjet.

Në rastin e Sllobodan Millosheviqit, Prokuroria përdori gjithsej 360 orë për të paraqitur provat e saj, që përfshinte edhe pyetjet e bëra nga mbrojtja.

Për gjykimin e Nikolla Shainoviq, në Tribunalin e Hagës, Prokuroria kishte shpenzuar 166 orë, ose rreth 10 muaj kohë.

Për gjykimin e kroatit Jadranko Prliç, Prokuroria kishte shpenzuar 296 orë, ose 1 vit e 10 muaj kohë.

Avokati Artan Qerkini thotë se kjo kërkesë e Prokurorisë që të ketë kaq shumë kohë për paraqitjen e rastit të saj, tregon se atyre ju mungojnë faktet dhe provat.

Gazetari Mero Baze, ndërkaq, shprehet se përshtypja e parë është se Prokuroria Speciale është gjendur përpara një kurthi profesional në këtë histori.

“Duke qenë se ngritja e Gjykatës Speciale u bë nën presion politik të madh ndërkombëtar dhe u fry, u mbars ideja që ka shumë fakte, shumë prova për ta, dhe kur Prokuroria ka parë dosjet, ka konstatuar që nuk ka prova. Dosjet e tyre janë të mbushura me google search… Prokuroria, për mendimin tim, gjendet përpara një vështirësie reale për të gjetur fakte kundër tyre sesa i duhet kohë për t’i shqyrtuar faktet”, tha Baze.

Analisti Ismail Tasholli, ndërkaq, shprehet se të kërkohet një gjykim kaq i gjatë është absurde, thua se Kosova ishte agresori më i madh në Ballkan, krahasuar me Serbinë që ishte shkaktarja e tri luftërave dhe qindra e mijëra viktimave.

“Kjo pos tjerash, është edhe tendencë e devijimit të historisë”, tha ai./tvklan