Prokuroria nis hetimet ndaj qytetarëve të cilët ofruan votën për shitje

Qytetarët që kanë filluar të publikojnë shpallje për shitjen e votës nëpër web faqet e shitblerjeve online, mund të kenë probleme me ligjin.

Kjo pasi Prokuroria dhe policia kanë nisur hetimet ndaj tyre dhe këtë të diele është intervistuar personi i parë i cili është identifikuar nga ana e institucioneve.

Të premten e kësaj jave, është raportuar se disa qytetarë kanë nxjerrë votën e tyre në shitje.

Këtë qytetarët po e bëjnë në web faqen e cila përdoret për shitblerje të gjësendeve dhe patundshmërive, MerrJep.

Pas kësaj, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë kanë nisur hetimet rreth këtyre rasteve dhe kanë filluar intervistimin e qytetarëve të cilët kanë bërë vepër penale duke nxjerrë votën në shitje.

Këtë e ka konfirmuar Prokurori Ilaz Beqiri.

“Dje e kemi iniciuar rastin në polici, policia janë duke punuar në këtë rast. Deri më tani kemi arritur ta gjejmë një person, i njëjti sot është intervistuar. A.G. banor i Prishtinës është intervistuar sot. Jemi duke punuar që t’i intervistojmë edhe personat e tjerë dhe nuk do të ketë pardon për askënd. Të gjithë do të përgjigjen për veprimet që janë duke i bërë”, ka thënë Beqiri për Gazetën Express.

Beqiri ka shtuar se i intervistuari e ka pranuar se e ka publikuar shpalljen në MerrJep, por ka thënë se nuk e ka bërë me qëllimin që ta shesë votën, por vetëm në formë shakaje.

“Ai ka thënë se si hajgare i është dukur, ka thënë se nuk e ka ditur që mund të ketë pasoja”, ka theksuar Beqiri.

Beqiri bëri të ditur se i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.