Prokuroria nuk po i heton dyshimet se mjekja falsifikoi certifikatën e lindjes për tu punësuar në UP

Prokuroria e Shtetit nuk është duke hetuar dyshimet se mjekja Antigona Hasani ka falsifikuar vitin e saj të lindjes, për t’ia mundësuar vetes një vend pune si ligjëruese në Fakultetin e Mjekësisë në UP. Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk tregon as nëse do të nisë ndonjë hetim, pasi Reporteri publikoi dëshmi të reja në lidhje me këtë rast.

Gati një javë pasi Gazeta Online “Reporteri.net” solli dëshmi se si një mjeke ligjëruese në Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e Prishtinës po dyshohet se ka falsifikuar certifikatën e saj të lindjes – për të plotësuar një kriter që i mundësonte asaj t’i bashkëngjitet stafit akademik në vitin 2013 – Prokuroria e Shtetit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të hetuar rastin.

Në interesimin e Reporterit, Prokuroria Themelore e Prishtinës javën që shkoi, ka konfirmuar se nuk janë duke e hetuar Antigona Hasanin për dyshimet e ngritura ndaj saj.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se pas verifikimit në data bazën e të dhënave, ndaj të njëjtës nuk figuron se është duke u zhvilluar ndonjë procedurë hetimore”, ka thënë me e-mail zyrtarja për Informim e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Tutje, ajo nuk është përgjigjur nëse kjo prokurori do t’i marrë parasysh dëshmitë e publikuara nga Reporteri.net, javën e shkuar, e as nëse ndonjëherë Prokuroria e Shtetit ka hetuar këtë rast.

Gazeta Online “Reporteri.net” më 3 dhjetor ka raportuar për rastin e Antigona Hasanit dhe ka gjetur dy dokumente origjinale, në të cilat viti i lindjes së mjekes rezulton të jetë 1962. E jo, 1963, siç Hasani e ka paraqitur në CV-në e saj, me të cilën u punësua si ‘profesor asistent’ në Fakultetin e Mjekisë, në fund të vitit 2013.

Në të dy dokumentet të cilat janë në gjuhen serbe dhe me shkronja të alfabetit cirilik, ditëlindja e Antigona Hasanit rezulton të jetë 12 dhjetor 1962. Madje, në dokumentin e librit të amzës, tregohet edhe data e regjistrimit të saj nga ana e prindërve, që është fiks një muaj pas lindjes së saj, 11 janar 1963.

Vetë Antigona Hasani, e kontaktuar përmes e-mailit, nga Gazeta Online “Reporteri.net”, javën e shkuar, ka pretenduar se dyshimet se ka falsifikuar ditëlindjen e saj janë shpifje.

“Për herë të dytë po ballafaqohem me shpifje të ndyta të kolegeve për qëllime të tyre të ulëta. Deklaroj me plotë përgjegjësi se asnjëherë nuk kam falsifikuar asnjë dokument dhe as datën e lindjes”, thoshte ajo, duke pretenduar se rasti është hetuar edhe nga Prokuroria e Shtetit.

Përgjigje e as sqarime gazetës nuk i ka dhënë Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Përkundër se rektori Marjan Dema, gabimisht ka dërguar në e-mail adresën e Reporterit një mesazh të brendshëm, që konfirmohet se ka pranuar pyetjet.

E heshtur ndaj këtij rasti ka zgjedhur të qëndrojë edhe Dekanja e fakultetit të Mjekësisë Suzana Manxhuka-Kerliu. Por, disa përgjigje të shkurtra ka dhënë prodekani për çështje akademike të këtij fakulteti Sefedin Muçaj.

Ai ka konfirmuar se Antigona Hasani është staf i rregullt i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Publik “Hasan Prishtina“ dhe ka thirrjen aktuale “Profesor i Asocuar” (Prof. Asoc. dr.). Ndonëse, në faqen zyrtare të UP-së, ajo ende figuron vetëm si “profesor asistent” e lëndës “Anesteziologji me reanimacion”, në Fakultetin e Mjekësisë.

Por, sipas Muçajt, çështja e dyshimeve për falsifikim të ditëlindjes në mënyrë që Hasanit t’i mundësohet pranimi si ligjëruese në UP, nuk u përket atyre.

“Për këtë çështje ju sugjerojmë te ju drejtoheni organeve kompetente – organeve te drejtësisë të Republikës së Kosovës”, thotë ai në përgjigjen e tij për Reporteri.net, duke mos e llogaritur fare përgjegjësinë e tyre që brenda stafit akademik tash e shtatë vite kanë një ligjëruese, madje të avancuar në punë, që nuk plotëson kriteret e përcaktuara me statutin e UP-së.

Sidoqoftë, ky mashtrim i mundshëm i mjekes, i ka mundësuar asaj që tash e gjashtë vite të ligjërojë në fakultetin e Mjekësisë, duke evituar kështu rënien ndesh me piken 1.6 të nenit 177 të statutit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Ky nen parasheh se një kandidati i cili zgjidhet për herë të parë të jetë pjesë e stafit akademik të Universitetit “Hasan Prishtina”, me statut, parashihet se nuk duhet të jetë më i vjetër se 50 vjet.

Duhet theksuar se një veprim i tillë përbën edhe shkelje të ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës, pasi që “falsifikimi i dokumentit” sikurse “mashtrimi” janë vepra penale, të dënueshme sipas Kodit Penal.

Antigona Hasani në CV-në e saj tregon se ka të përfunduar fakultetin e Mjekësisë, në UP, në vitin 1987. Pastaj ka specializuar në Anesteziologji dhe Reanimacion, në vitin 1999, në një universitet në Stamboll të Turqisë. Për të përfunduar pastaj magjistraturën e Shkencave të Mjekësisë, në UP, në vitin 2005, dhe së fundi për të doktoruar në vitin 2011 në universitetin ”Sv.Kiril i Metodij” në Shkup.