Prokuroria për fondin 3%: Bujar Bukoshi tërhiqte para pa dhënë arsyetime

0
353

Prokuroria Speciale ka treguar se aktakuza për fondin 3% që njihet nga të gjithë kosovarët, ka të bëjë me mënyrën se si janë tërhequr pa dhënë arsyetime nga ish-kryeministri në ekzil Bujar Bukoshi, transmeton Gazeta Metro.

Fondi i 3-përqindëshit ka qenë aktiv nga viti 1992 deri në 2006. Raportet financiare të këtij fondi me para të qytetarëve, që ishin destinuar për të mbajtur gjallë sistemin paralel të shëndetësisë dhe arsimit, nuk janë bërë publike asnjëherë. Edhe nëntë vjet pas vitit 2006 dyshohet se ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, përmes ish-këshilltarit të tij Atdhe Gashi e deputetit të LDK-së, Naser Osmani, kanë tërhequr para.

Fondi me buxhet prej qindra miliona markash, dollarësh e frangash të mbledhura për disa vjet, sipas Prokurorisë Speciale, është dëmtuar nga Bukoshi, Gashi e Osmani për rreth 150 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.

“ I pandehuri Bujar Bukoshi gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave të tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës se Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuuar me mjete monetare në Fondin 3 për qind , duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atëkohë ishte në kushte të vështira ekonomike”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Bukoshi ka tërhequr gati 100 mijë euro pa dhënë arsyetim.

“Shumën prej 90. 830 eurosh e ka tërhequr me para në dorë, të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllimesh i ka shfrytëzuar”, thuhet në aktakuzë,

Me këto veprime, sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, Bukoshi për këtë veprim akuzohet për veprën penale Shpërdorim nga neni 257, paragrafi 2, i Kodit të Përkohshëm të UNMIK-ut.

Përveç kësaj shume, Bukoshi në bashkëkryerje me asistentin e tij, Atdhe Gashi, e deputetin aktual të LDK-së, Naser Osmani, sipas Prokurorisë, në tërësi për këtë periudhë kanë tërhequr 154 mijë euro.