Protestuesit serbë afër Jarinjës ‘i fusin flakën’ një pankarte, paraqesin hartën e Kosovës me flamur serb

Po vazhdon protesta e serbëve në pjesën tjetër të Jarinjes, ku shihet se është mbledhur një turmë mjaft e madhe, duke pretenduar se janë aty me qëllim që të zhbllokojnë kalimin për serbët nga Kosova.

Para pak minutash, dy persona i kanë vendosur flakën një pankarte në të cilën shkruante “Marrëveshja e Brukselit”, e më pas, kanë paraqitur edhe një hartë të Kosovës me flamurin serb.

Pamje live, nga atje, janë publikuar nga një faqe në YouTube, me emrin ‘Serbin.info’.

Më herët, mediumi serb raportoi se personat që po protestojnë vijnë nga Serbia, Republika Srpska dhe Mali i Zi.

Megjithatë, është përfolur se aty janë edhe disa pjesëtarë të grupit rus “Ujqit e natës”.

Protestuesit, më herët po mbanin edhe pankarta si “S’ka dorëzim të Kosovës”.

Nacionale ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e Policisë së Kosovës në veri, z.Besim Hoti, për të marrë informacione rreth situatës atje, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.