PS hapë nesër fushatën, kryeministri Rama: 30 qershor dhe pikë

Kryeministri Edi Rama është i prerë sa i përket datës së zgjedhjeve, duke artikuluar edhe një herë se zgjedhjet lokale do të mbahen në 30 qershor. Nëpëmjet një postimi ku njofton hapjen e fushatës elektorale më 1 qershor, është shfaqur i vendosur se zgjedhjet nuk do të shtyhen.

“30 qershor dhe pikë”, shkruan Rama, bashkangjitur fotos ku njofton hapjen e fushatës elektorale.

Hapja e fushatës elektorale ishte parashikuar të mbahet ditën e sotme, më 31 maj, por duke qenë se opozita njoftoi zhvillimin e protestës së radhës kombëtare, PS vendosi shtyrjen e saj me një ditë më vonë.

Hapja e fushatës do të kryhet në parkun olimpik në Tiranë, në 16:00, siç bëri të ditur kryeministri Edi Rama.

Zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës, pasi këta të fundit dogjën mandatet dhe prej muajsh kanë nisur protestat ku kërkojnë një qeveri tranzitore pa kryeministër Edi Ramën, që do t’u mundësonte më pas zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nisur nga ky bojkot i opozitës, presidenti Meta është shfaqur i gatshëm që nëse do të ketë vullnet politik, të ndryshojë datën e zgjidhjeve, por shefi i qeverisë është shprehur se shtyrja e datës së zgjedhjeve është në shkelje të kushtetutës, për këtë arsye 30 qershori, sipas tij nuk do të lëvizë./Fokusi.info/