PSD i gjenë paratë, paguan gjobën e shqiptuar nga AIP

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë të ditur se kjo parti ka arritur të paguajë gjobën e shqiptuar nga Agjensioni për Informim dhe Privatësi.

Përmes një statusi në Facebook, Molliqaj ka bërë të ditur se pagesën e gjobës e kanë bërë brenda afatit 15 ditor dhe në këtë mënyrë kanë paguar vetëm gjysmën e shumës.

“Gjoba është absurde në shumë drejtime. Politike si motiv dhe e padrejtë për nga ligji. Në rast të mos pagesës rrezikonim funksionimin e përditshëm dhe aktivitetet opozitare. Prandaj këtë e kemi denoncuar përmes padisë në Gjykatë të cilën jemi të bindur që do ta fitojmë dhe kjo shumë do të na kompensohet”, ka deklaruar Molliqaj.

Ai ka thënë se përmes dhjetëra donacioneve, brenda pak ditësh është arritur shuma prej 11 mijë e 778.25 euro.

“Ishin dhjetëra donacione që për pak ditë arritën shumën prej 11,778.25 euro. Përgjigja e aktivistëve e qytetarëve ishte shumë e shpejte prandaj jemi të ngazëllyer dhe shumë falenderues. Pushteti ka ndryshuar metodën. Dikur përdorte dhunën policore e burgun, kurse tash ka filluar gjobat e ulëta e të larta për secilin veprim tonin opozitar. Kjo është shenjë e qartë e një pushteti represiv. Prandaj aktiviteti ynë do të vazhdojë edhe më fuqishëm”, ka përfunduar Molliqaj.