AKR-ja mbështet rrëzimin e Qeverisë Hoti

Aleanca Kosova e Re ka shprehur mbështetje për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Naim Murseli, këshilltari i kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook ka thënë se “kjo qeveri ka humbur besueshmërinë e saj”.

“Vetëm një opozitë e bashkuar mund të hapë rrugë zgjedhjeve të reja në Kosovë. Kjo qeveri tani ka humbur besueshmërinë e saj dhe qytetarët po presin me padurim një të re për të marrë detyrën. Në këtë situatë asnjë President i ri nuk do të mund të zgjidhet pa vullnetin e opozitës. AKR do të mbështesë rrëzimin e kësaj qeverie”, ka shkruar ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve për mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Partia tjetër e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, është shprehur se nuk e nënshkruan mocionin për rrëzim të Qeverisë Hoti, por do ta votojë sapo të jetë në Kuvend. Për të shkuar në Kuvend mocioni, duhen 40 nënshkrime.

Avdullah Hoti ishte bërë kryeministër edhe me dy votat e AKR-së.