PSD me aksion të KPM-ja: Duan ta shfrytëzojnë gjendjen e krijuar me Serbinë për të na e mbyllur gojën

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka postuar një video, ku shihet zyrtarët e kësaj partie duke mbyllur me dry derën e Komisionit të Pavarur të Mediave.

Molliqaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “aparatçikët që duan të na e mbyllin gojën i mbyllem brenda”.

Ai tutje ka thënë se janë duke e shfrytëzuar gjendjen e krijuar me Serbinë për të na e mbyllur gojën.

“Aparatçikët që duan të na e mbyllin gojën i mbyllem brenda. KPM sot është mbledhur me urdhër të Qeverisë. Duan ta shfrytëzojnë gjendjen e krijuar me Serbinë për të na e mbyllur gojën. Rreziku nga Serbia nuk mund ta justifikojë diktaturën brenda. Përkundrazi, liria e demokracia janë fituar me luftë. Ato nuk do të dorëzohen kurrë, për asnjë çmim”. – ka shkruar Molliqaj.

Aksioni i PSD-së erdhi pasi që Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka marrë vendim për pezullimin e certifikatës së biznesit për Klan Kosovën.

Klan Kosova para disa minutave ka raportuar se KPM-ja është mbledhur në mënyrë urgjente ku do të shqyrtohet dosja e pezullimit të certifikatës.