PSD në konferencë të jashtëzakonshme: Arrestimi i Molliqajt u orkestrua nga Kurti e Sveçla

Dren Kukaj anëtar i Kryesisë së PSD-së, pjesë e ekipit të mbrojtjes së Dardan Molliqajt i cili u arrestua sonte, në konferencën e jashtëzakonshme për media, ka thënë se në arrestimin e kryetarit të PSD-së ka ndikuar drejtpërdrejt politika.

Ai ka thënë se gjithçka ka qenë e orkestruar nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe kryeministri Albin Kurti.

“Gjithçka ka qenë e orkestruar politikisht, nuk kemi të bëjmë me një rast procedural penal por me një orvatje të partisë në pushtet kundrejt Dardan Molliqajt për shkak të incidentit që ka ndodhur të shtunën dhe fushatës linçuese është bërë ndaj Dardanit. Gjithçka ka qenë e orkestruar nga lart, nga ministri Xhelal Sveçla dhe kryeministri Albin Kurti”, ka thënë Kukaj.

Kukaj ka thënë se Molliqaj u arrestua pa fletarrest dhe se fletarrestimi i tij u bë pas arrestimit dhe dërgimin në stacionin e Policisë së Kosovës.

Ai ka thënë se Molliqaj sot ka qenë në zyrë dhe nuk ka qenë duke u fshehur dhe duke ikur.

Kukaj ka kërkuar në emër të PSD-së lirimin e menjëhershëm të Molliqajt.

Ai po ashtu ka thënë se në operacionin për arrestimin e Molliqajt kanë marrë pjesë rreth 60 policë me armë të gjata.