PSD organizon protestë për të shtunën kundër shtrenjtimit të rrymës

Partia Socialdemokrate ka thirrur protestë për të shtunën, në Prishtinë, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Kjo parti thotë se do të protestojë kundër vendimeve “të gabuara” të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se për këtë do të bëjnë një opozitë të madhe.

“Qeveria është rreshtuar me monopolin privat. KEDS-it po i bën zgjidhje, kurse qytetarëve disiplinë e shtrenjtim. Si zëdhënës i KEDS-it, kryeministri po pyet “ku ti marrim paratë për të paguar importin e rrymës”? Por nuk po bën pyetje nga pozicioni i qytetarëve: “me çka të ngrohemi ne, nëse jo me rrymë? Ku t’i marrim paratë për ta paguar rritjen e çmimit?””.

PSD thotë se Qeveria ka marrë anë dhe se është rreshtuar me bizneset e mëdha private, për të cilët tha se janë të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës.

“Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie. Të shtunën, më 29 janar, në orën 14:00, takohemi në Sheshin “Zahir Pajaziti” për të protestuar kundër këtij shtrenjtimi të energjisë elektrike. Këto vendime të gabuara kanë opozitë në këtë vend. Dhe kanë opozitë të madhe. Prandaj ftojmë gjithë opozitën që të bashkohemi në protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”.