Pse Kosovës nuk po i hiqen sanksionet edhe pas zmbrapsjes së Kurtit?

Një dështim tjetër i madh, i turpshëm dhe i pazhurmshëm i ka ndodhur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Ai është zmbrapsur përsëri nga politikat e tij në veri të vendi pavarësisht që nuk arriti kurrfarë rezultati derisa njëkohshëm e dëmtoi rëndë Kosovën me dëmtim të partneriteteve dhe madje edhe sanksionet. E këto sanksione nuk po hiqen ende, pavarësisht zmbrapsjes. Pse?

Më 10 korrik zv. kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi shkoi në Bratisllavë. Aty ai do të arrinte marrëveshje për hapat e parë drejt shtensionimit me ndërmjetësin evropian Mirosllav Llajçak.

Mes atyre hapave ishte zvogëlimi i menjëhershëm për 25% i pranisë policore “në dhe rreth ndërtesave komunale”. E për më keq, ishte edhe zotimi për të mos ndërmarrë asnjë “veprim që mund të tensionojë situatën në veriun e Kosovës.” E për më keq, ishte edhe se Policia duhej të bashkëpunonte me EULEX-in dhe KFOR-in për të “shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”. E për më keq, Qeveria zotohej të mbështeste mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Pra, një zmbrapsje e rëndë që e pasoi një retorikë të rëndë nacionaliste nga institucionet e Kosovës por edhe një numër sanksionesh nga ana e Bashkimit Evropian.

Masat ndëshkuese të BE-s përfshinin pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të MSA-së, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë, ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 dhe prekjen e fondeve potenciale të Kosovës në Kornizën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Kjo e fundit është kornizë multi-miliardëshe.

Çka tha Kurti?

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke njoftuar për arritjen e marrëveshjes për shtensionim kishte thënë që shpresonte se tash do të hiqeshin masat.

Ai akuzonte BE-në se përmes masave ndaj Kosovës e kishte cenuar pozicionin e Kosovës në negociata, shkruan Nacionale.

“…të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkoshshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian,” – kishte thënë Kurti në një mbledhje të Qeverisë.

Burime diplomatike

Por, raportime shqetësuese vijnë nga burime diplomatike.

Siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë, një nga këto burime i ka thënë këto fjalë:

“Masat ndaj Kosovës nuk ishin vendosur aq lehtë, ato janë të kthyeshme dhe nuk do të zgjasin asnjë ditë më shumë se sa duhet. Por, për tërheqjen e tyre duhet dëshmi se Kosova po i ndërmerr të gjitha hapat që janë kërkuar nga ajo dhe për shkak të së cilave edhe ishin vendosur këto masa,”

Edhe ShBA-ja ka kërkuar hapa të mëtejmë nga Qeveria e Kosovës që çojnë drejt shtensionimit.

Kryeministri i vendit nuk ka kërkuar falje para qytetarëve pas ndëshkimeve nga ana e BE-së. Ai ka fajësuar BE-në se ka qenë e anëshme.

Në një nga bisedat e tij më interesante ishte ajo me gazetarin Stephen Sackur ku ai i bën disa pyetje mjaft të vështira atij.

“Po e paguani çmimin, ky është fakt. Sanksionet do t’i kushtojnë vendit tuaj deri në 500 milionë euro deri në fund të këtij viti… me ekonominë tuaj të dobët nuk mund ta përballoni që të humbni këtë mbështetje financiare. Çfarë do të bëni?” – e kishte pyetur ai.

Kurti gjatë intervistës nuk kishte pasur përgjigje të kënaqshme. Gazetari i BBC e kishte quajtur madje edhe “kokëkrisur” e “impulsiv” kryeministrit e Kosovës.