Pse Kurti shkoi jashtë Kosovës në ditën kur Palmer erdhi në Kosovë?

Zëvendës ndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-ve, njëherësh Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, sot po qëndron për vizitë në Kosovë.

Në kuadër të kësaj vizite, Palmer do të takohet me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Por, para takimit me Thaçin, Palmer ka zhvilluar takime edhe me kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj, kreun e PDK-së Kadri Veseli si dhe me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa.

Pyetja që është ngritur nga të gjithë është se pse zëvendës sekretari amerikan i shtetit nuk do të takohet me kandidatin për kryeministër të Kosovës Albin Kurti.

Nga Lëvizja Vetëvendosje është bërë e ditur se Kurti nuk ndodhet në Kosovë për shkak të një vizite të planifikuar më herët. Ndërsa nuk kanë njoftuar vendndodhjen e tij e as karakterin e vizitave jashtë shtetit.

‘’Jo, Kurti nuk është në Kosovë, është në një vizitë jashtë vendit të planifikuar më herët’’, ka deklaruar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka për Periskopin.

Por edhe vizita e ndihmës sekretarit të Shtetit i SHBA-ve Mathew Palmer ishte e paralajmëruar më herët. Agjenda e vizitës së tij në Ballkan ishte bërë e ditur rreth pesë ditë më parë.

Nga Vetëvendosje nuk kanë dhënë më shumë detaje se çfarë vizitash do të ketë Kurti jashtë vendit.