Pse Liburn Aliu mbeti jashtë kryesisë së VV-së sipas Aida Dërgutit?

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, ka thënë se mungesa e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, në strukturat e reja të VV-së, nuk mund të të arsyetohet me faktin se është ministër dhe është i ngarkuar me punë.

E ftuar në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, Dërguti ka komentuar zgjedhjen e re të kryesisë së partisë në pushtet.
Ajo ka theksuar se prej një Lëvizje “e cila e fillon rrugëtimin si revulocionare dhe në momentin e përfshirjes së zgjedhjeve fillon e bëhet reformatore, në momentin kur është në pushtet shihet qartazi tendencat e kthimit kah konzervatorizmit, sepse ky është qëllimi që të mbahet pushteti, fillon e bëhet konzervator”.

“Meqë po përmendet emri i Liburnit, kinse për punën e korrupsionit, mendoj që kjo është një ide e paqëndrueshme pse nuk është përfshirë në kryesi. Po të jetë ashtu do të duhej të fillonte spastrimi që nga shefja e grupit parlamentar e deri te ambasadori Martin Berishaj që e mbron me fanatizëm kryeministri aktual”, ka thënë Dërguti.

“Nuk mund të përdoret si arsye as fakti që është ministër dhe është i ngarkaur me punë, sepse ka edhe të tjerë që janë ministra.Më shumë më duket interesante futja e Hajrulla Çeku. Nuk është as shefja e grupit parlamentar, e kemi një minimizim të rolit të grupit parlamentar përbrenda kryesisë”, shtoi ajo.

Po ashtu, Dërguti ka përmendur edhe emra të tjerë të personave që janë pjesë e rëndësishme e kësaj partie, emrat e të cilëve nuk gjenden në listën e kryesisë së re.

“Janë tri deputete, por nuk i shohim disa deputetë si Sali Zyba, që kanë qenë që nga fillimi dhe mund të them se ka qenë pjesë e bërthamës udhëheqëse bashkë me Liburnin, Hysenin e Glaukun. Është interesante fakti që Glauku bëhet nënkryetar. Zakonisht kryeministri aktual nënkryetarë i ka zgjedhur rivalët apo armiqtë potencialë. Ata të cilët i ka parë potencialisht si rivalë i ka marrë në pozitën e nënkryetarit, i pari ka qenë Shpendi”, ka thënë ajo.