Pse ndodhi vetvrasja? I burgosuri rrëfen ngjarjen e 23 vjeçarit në Burgun e Dubravës (video)

Në redaksinë e Koha.net ka telefonuar një i burgosur nga Burgu i Dubravës i cili ka dashur të mbetet anonim (emër i njohur për redaksinë), për të dhënë informacione pas vetëvarjes së 23-vjeçarit F.I.

Ai ka mohuar deklaratat që janë lëshuar nga KMDLNJ-ja dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, duke thënë se asnjëra s’janë të vërteta. Sipas tij, i burgosuri F.I, nuk është takuar me ndonjë psikolog, ashtu siç deklaroi KMDLNJ-ja që i F.I, “gjatë qëndrimit në Burgun në Dubravës është vizituar nga psikologu, psikiatri, pulmologu, stomatologu dhe mjekët e tjerë me ç’rast ka deklaruar se e mendon vetëvarjen”.

I burgosuri që është në vuajtje të dënimit, thotë se ai dhe të tjerët, kurrë s’takohen me psikologë e psikiatër, madje, as s’dinë nëse aty ka të tillë.

I burgosuri që ka folur për Koha.net ka thënë se ka qëndruar me F.I në të njëjtën ndërtesë, dhe realisht, ai kurrë s’ka përmendur vetëvrasjen por ka kërkuar të vizitohet nga një mjek. Në të kundërtën, siç thotë ky, ai s’ka gjetur mbështetje por është rrahur me shuplaka nga shefi i ndërrimit.

“Është për keqardhje çka po ndodh këtu. Qysh mundet një institucion me kamuflu këso gjërash. Në një ndërtesë me F.I kam qenë. Ai është varë për arsye tjera. Kanë dhënë motive tjera të vetëvrasjes. Edhe KMDLNJ e ka dhënë një deklaratë që është skandaloze. Në burgun e Dubravës nuk ka psikologë e as psikiatër. 90 për qind e të burgosurve as nuk i kanë parë ndonjëherë. Problem është që e ka trajtuar ndonjëherë dikush këta (F.I)”, është shprehur i burgosuri.

“Nuk është e vërtetë që ai (F.I) ka paralajmëruar vetëvrasje. Ai ka lyp ndihmë mjekësore dhe nuk e kanë dërguar tek mjeku. Janë deklarata skandaloze, është e habitshme qysh shteti me bo një gjë të tillë, i mban njerëzit në burg për krime e vet ju bën krim. Ai ka lyp ndihmë për shkak të dhimbjeve të kokës, stafi ka refuzuar ta dërgojë përkundrazi, kemi edhe dëshmitarë, shefi i ndërrimit e ka goditur dy herë me shuplakë, dhe më pas ai e ka fur veten”, shprehet ai, duke kërkuar të mbetet anonim sepse siç u shpreh ai, “tani këta po na hakmerren”.