Pse nuk i reagoi Gërvalla ministrit serb që në OKB e quajti “terroriste” UÇK-në?

0
156

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua për Kosovën sot u përcoll me polemika e përplasje të ashpra. E gjithë vëmendja ishte tek kërkesa e Rusisë për heqjen e flamurit të Kosovës nga kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla. Kjo e fundit, përveç me përfaqësuesin rus pati probleme edhe me atë serb.

Nikolla Selakoviq, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme të Serbisë nuk la gjë pa thënë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shkruan lajmi.net.

Teksa fliste për ato që ai i quan “sulme” ndaj Speciales, Selakoviq e quajti “terroriste” Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje e cilësoi si gjë pozitive që atje po gjykohen komandantët e saj, e tha se po bëhet edhe presion ndaj punës së saj, duke cituar deklaratat e presidentes së Dhomave të Specializuara të Hagës, Ekaterina Trendafilova.

Pas këtij fjalimi të mbushur me tone e shprehje nacionaliste dhe propaganduese foli edhe kryediplomatja Gërvalla. Kjo e fundit nisi fjalimin e saj duke folur për atë që ajo e quan “krim dhe korrupsion” në Kosovë, e nga i cili sipas saj Kosova do të shlirohet pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes.

“Së pari, do të premtoj se do të jem shumë më e shkurtër sesa kolegu. Për herë të parë në cilindo vend të Ballkanit, shumica e votuesve kanë votuar të çlirohen nga korrupsioni dhe krimi. Jemi në një udhëtim për të përmbushur vullnetin dhe kërkesat e popullit tonë, për ta bërë vendin tonë të ri, plotësisht të njohur dhe anëtar të respektuar të Kombeve të Bashkuara. Si ministre e jashtme, zëvendëskryeministre e Kosovës, më lini t’iu adresohem me gjithë sinqeritetin e duhur, mund t’i referohemid etajeve të raportit më vonë. Qasja e qeverisë është krejtësisht e qartë se Kosova si gjithë vendet tjera po lufton pandeminë dhe më duhet t’i falënderojë miqtë tanë dhe ne po përgatitemi për masat që do t’i implementojmë dhe po merremi me një sërë çështjesh që do të na ndihmojnë të lëmë një epokë të korrputuar mrapa, sundimi i ligjit në vend të korroupsionit”, ishin fjalët e para të Gërvallës.

Gërvalla e vazhdoi tutje fjalimin duke folur për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, në asnjë moment ajo nuk e përmendi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila u quajt terroriste nga homologu i saj serb.

Për një gjë të tillë, ditëve të fundit është kritikuar me të madhe edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, ish-shefja politike e Gërvalles, e cila injoroi UÇK-në në postimin për betejën e Koshares.

Kryediplomatja kosovare fjalimin tutje të saj e orientoi në rikujtimin e asaj çfarë ka bërë  Serbia në Kosovë në luftën e fundit.

“Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Kosovës ka mbijetuar 13 vjeçare nga një masakët e forcave serbe ndaj civilëve, ku gjithë familja e saj ishin vrarë, ajo vajzë e pafajshme ishte gjetur me 16 plagë mezi e mbijetuar. Një nga deputetet tona me votën më të madhe në Kosovë është përdhunuar nga forcat serbe dhe ka marrë barrën për të folur për këto krime, ajo iu jep guximin 20 mijë viktimave të përdhunimit dhe asnjë nga përdhunuesit serbë nuk ka dalur para drejtësisë”, tha tutje ajo.

Përveç mospërmendjes dhe faktit se nuk i doli në mbrojtje UÇK-së pas akuzave nga ministri serb, Gërvalla është kritikuar me të madhe edhe për faktin se Kosovën në fjalimin e saj e paraqiti si vend të zhytur në krim e korrupsion.

Kësi lloj deklarata për mediumin prestigjoz “BBC”, para disa ditësh kishte dhënë edhe tanimë presidentja e vendit Vjosa Osmani, për çka kishte shkaktuar reagime të mëdha në opinion. /Lajmi.net/