“Pse s’po ndërhyni në Ukrainë, siç bëtë në Kosovë?”, kështu përgjigjet Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbrojtur dispozitat e aleancës lidhur me përballimin e situatës në luftën Rusi-Ukrainë, duke thënë se pavarësisht asaj që ndodhi gjatë vitit 1999 në Kosovë, nuk mund të rrezikohet një konflikt i ri.

Stoltenberg në një intervistë për Channel 4 është pyetur lidhur me luftën e Kosovës, duke theksuar pse një ndërhyrje e NATO-s nuk po përsëritet në Ukrainë, përcjell Demokracia.com.

“Në fund të viteve nëntëdhjetë, NATO është përfshirë në Kosovë për shkak të krimeve të luftës të kryera nga serbët. Serbia nuk ka qenë pjesë e NATO-s atë kohë, as Kosova. Kjo ka qenë një pjesë e jashtme e operacioneve të NATO-s. Pse nuk po bëhet e njëjta edhe në Ukrainë?”, është pyetur Stoltenberg nga gazetari Matt Fei.

Lidhur me këtë, Stlotenberg është përgjigjur për përgjegjësitë e NATO-s, duke thënë se njëra prej tyre është që të sigurohet mbështetje për Ukrainën.

“Ne e kemi bërë këtë dhe e kemi parë efektin çdo ditë në fushën e luftës. Armë të fuqishme, sisteme të mbrojtjes, që i kanë rrëzuar aeroplanët rusë dhe kanë shkatërruar shumë armatime të Rusisë. Por, ne kemi edhe një përgjegjësi tjetër, ajo është që ta ndalojmë eskalimin e këtij konflikti që të mos ndodh një luftë evropiane mes NATO-s dhe Rusisë”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka shpjeguar se kjo është arsyeja kryesore pse NATO-ja nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, duke shtuar se do të ishte edhe më e rrezikshme sesa ajo që po ndodhë tani, përcjell Demokracia.com.

Videon e plotë mund ta ndiqni duke klikuar KËTU.

Ndërkohë, që prej fillimit të luftës, NATO është pyetur shumë herë pse nuk po ndërhynë në Ukrainë, ashtu siç kishte vepruar në Kosovë.

Vlen të përmendet se Rusia po akuzohet se ka kryer masakër dhe gjenocid në Ukrainë, pas zhvillimeve që ndodhën në qytetin Bucha, ku qindra persona u gjetën të vdekur.

Po ashtu, autoritetet ukrainase kanë hedhur dyshime se Rusia po i djegë trupat e ukrainasve të vdekur, për të fshehur kështu vrasjet mizore që kanë kryer.