Pse u sulmua i riu nga polici në “Velani”? -Avokati mbrojtës tregon versionin e klientit të tij

Me datën datë 5 prill në lagjen “Velania” në Prishtinë, një zyrtar policor keqpërdori detyrën e tij zyrtare, duke ndaluar në një pikë kontrolli një 21 vjeçar, në të cilin ushtroi dhunë fizike duke e sulmuar fizikisht atë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Si pasojë i riu, pësoi dëmtime serioze në kokë, lëndime këto nga të cilat i dëmtuari një ditë më vonë ka pësuar sulm në tru, duke humbur vetëdijen, ku edhe i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në Klinikën e Neurologjisë në QKUK ku edhe i është shpëtuar jeta.

Mirëpo për tërë këtë situatë të krijuar vjen versioni i avokatit mbrojtës së policit R.Aliu, Muhamet Muja.

Ai në një sqarim për IndeksOnline, ka thënë se aktualisht personi i cili është i shtrirë në spital ende nuk ka dhënë asnjë deklarata, andaj sipas avokatit Muja është e pakuptueshme se si insitucionet kanë shpalosur për publikun versionin aktual se klienti i tij ka sulmuar një person. Madje sipas tij nuk ka pasur asnjë dëshmitar gjatë këtij incidenti.

“I vetmi i cili ka dhënë informatë deri me tani se si ka ndodhë ngjarja është deklarata e zyrtarit policor i cili edhe ka hap rastin sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Ky rast është hap menjëherë pasi që zyrtari është sulmuar, ai ka marrë ndihmën mjekësore nga lëndimet e marra dhe ka raporte mjekësore në rast. Personi i shtrirë në spital ende nuk është intervistuar e për këtë shkak ne nuk i kuptojmë as institucionet që kanë arrestuar zyrtarin se si kanë ardhë deri tek ky version që kanë dërguar për publikun. Po ashtu asnjë dëshmitar nuk ka qenë gjatë incidentit”, ka thënë Muja për IndeksOnline.

Ai tutje ka dhënë versionin e plotë të klientit të tij, zyrtarit policor, në lidhje me këtë incident të rënd.

Sipas deklaratës së zyrtarit policor ai ishte sulmuar i pari nga personi i shtrirë tashmë në spital, tek sa zyrtari policor ishte i vetëm në vendin e tij të punës në lagjen “Velania”, tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

“Sipas zyrtarit policor që ka dhënë deklaratë menjëherë pas sulmit që i ka ndodhë, me datë 05.04.2020 rreth orës 12:30 në lagjen “Velania” në Prishtinë derisa ka qenë i vetëm në vend të punës e që është statiku numër 3 Sigurim i varrit të ish Presidentit Ibrahim Rugova, ka ardhë një person dhe ka shfrytëzuar momentin kur zyrtari policor ka qenë në kabinën e tij dhe ka filluar ta sulmojë me grushte në kokë me një shpejtësi të madhe. Nga goditjet zyrtari policor është rrëzuar brenda në kabinë, ai e ka nxjerr sprein, e me pas shufrën e që i dyshuari ka arrit që ta marrë shufrën nga dora e policit, gjatë përleshjes ai ka arrit që ta marrë shufrën, pas tentimit të zyrtarit policor që ta fus nën kontroll të dyshuarin ai ka arrit që me shpejtësi të ik nga vendi i incidentit duke u larguar në pjesën në drejtim të udhëkryqit të “Velanisë” çka edhe i humb nga shikimi”, thekson Muja.

Ndryshe ai bën të ditur se menjëherë pas kësaj situate zyrtari policor e ka njoftuar stacionin policor Qendra dhe eproret, me pas është hap rast Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, i është dhënë ndihma mjekësore nga lëndimet e marra për të cilat lëndime janë lëshuar raporte mjekësore. Tërë ky incident sipas zyrtarit policor ka ndodhë për afër 30 sekonda.

Muja thekson se klineti i tij nuk e di pse ka ardhur deri te ky incident, dhe pse është sulmuar nga ky person.

“I dyshuari edhe pasi që është kërkuar nga njësitet policore në teren nuk është arritë që të lokalizohet. Zyrtari policor nuk e njeh të dyshuarin e as që ka ndonjë dyshim, as përshkrim të tij nuk ka mund të jap për shkak të kohës së incidentit dhe mënyrës se si ka ardhë papritmas deri të incidenti. Nuk i di ende motivet pse është sulmuar”, thotë ai.

Avokati Muja thekson se klienti i tij ka përdorur forcën minimale për të ndaluar sulmin i cili ka qenë i befasishëm dhe pa asnjë shkak.

“Ne nuk kemi informata si mbrojtje pse i dyshuari atë ditë nuk është lajmëruar në polici për incidentin, e po ashtu nuk asnjë informatë se pas sa kohe ai u shtri në spital”, përfundon avokati./IndeksOnline/