Publikohen listat e nxënësve fitues në Dituri edhe për gjashtë komuna

Për herë të parë në Republikën e Kosovës, të gjithë nxënësit pa dallim, nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën kanë pasur mundësinë që të garojnë për njohuritë e tyre në lëndët që ata kanë mësuar gjatë vitit shkollor.

Këtë atyre ua ka mundësuar Gara Nacionale e Diturisë në kuadër të Programit Nacional për Rininë.

Nga kjo garë nacionale dhe gjithëpërfshirëse, për herë të parë në Kosovë, nga rreth 316,000 nxënës, vetëm për garën e Diturisë në nivelin e shkollës dolën 24,012 fitues.

Fillimisht, është publikuar lista e fituesve të klasave të para dhe të dyta në nivel shkolle, të cilët për shkak të moshës nuk kanë vazhduar garën në nivelin komunal.

Gjithsej fitues për klasën e parë dhe të dytë janë 2481. Pas kësaj liste, filloi shpallja zyrtare e listave të nxënësve fitues nga klasa e tretë deri në të dymbëdhjetën për komunat e Republikës së Kosovës, ku gjithsej janë 21,531 fitues.

Sot janë publikuar listat e nxënësve fitues në nivel shkolle për gjashtë komuna.

Për komunën e Klinës janë 862 fitues, Lipjan 281, Malishevë 1481, Mitrovicë 1012, Novobërdë 112 dhe Obiliq 306. Në total, numri i fituesve për këto komuna është 4054.

Të gjithë nxënësit fitues të vendit të parë do të shpërblehen me certifikatë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila ka një dedikim të veçantë nga shkrimtari Ismail Kadare.

Gjithë kjo punë është bërë e mundur falë punës dhe përkushtimit të Drejtorive Komunale të Arsimit, mësimdhënësve si dhe shumë akterëve tjerë për të zbatuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit me kryetarët e komunave, e mbi të gjitha, për t’i dhënë hapësirën e merituar të gjithë nxënësve në sistemin parauniversitar.

Ditëve në vijim bëhet e ditur se do të publikohen listat e fituesve për komunat tjera.

Për t’i parë listat e publikuara me emrat e nxënësve, klikoni këtu