Haradinaj e quan të vogël Albin Kurtin, ia kërkon dorëheqjen

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj sot ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Haradinaj ka thënë se Albin Kurti është i vogël t’ia ndërrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj.

“Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë”, shkroi ndër tjerash Haradinaj.

Më poshtë edhe postimi i plotë:

Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa.

Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?

Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë.

Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj.

Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!