Punësimet partiake në Telekom – prokuroria nuk i nis hetimet?

Muajt e fundit në Telekomin e Kosovës u raportua se janë punësuar më shumë se 100 persona duke përfshirë familjarë të deputetëve dhe zyrtarëve qeveritarë.

Këto veprime nxitën reagime nga opinioni kosovar. Ndërsa, liderë të partive opozitare dhe organizata joqeveritare, kërkuan nga Prokuroria që të nisin hetimet menjëherë për shkeljet ligjore.

Grupi për Studime Politike dhe Juridike bëri thirrje që prokurorët të hetojnë të gjitha rastet e punësimeve të familjarëve të bartësve të institucioneve. Sipas tyre, secili rast i punësimit shpalos elemente të veprave të ndryshme penale të sanksionuara me Kodin Penal të RKS-së.

Rreze Hoxha nga GSPJ, ka thënë për lajmi.net se nuk kanë marrë ndonjë informatë nga Prokuroria nëse i ka nis hetimet rreth kësaj çështje.

“Nuk kemi marrë përgjigje prej prokurorisë për këtë rast. Tash e kemi filluar projektin për ta monitoruar prokurorinë, ditëve në vijim do të ju njoftojmë”, ka thënë Hoxha.

Po ashtu, lajmi.net ka adresuar pyetje në Prokurorinë Speciale për këtë rast por për javë të tëra nuk ka marrë përgjigje.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka duke folur për punësimet partiake në Telekom, pati deklaruar se kjo është përgjegjësi e bordit pasi kanë lejuar të ndodhin intervenime të ndryshme.

Ndërkohë punësimet partiake detyruan disa anëtarë të Bordit të Telekomit të japin dorëheqje.

E kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi kishte thënë se nuk ka mbipunësim në këtë kompani, ndonëse ky numër tejkaloi në 2500 të punësuar.

Partia e kryeministrit, Ramush Haradinaj – AAK u akuzua se bëri më së shumti shkelje ligjore duke punësuar zyrtarë, anëtarë dhe familjarë në këtë institucion.

Kryeministri nuk e mohoi një gjë të tillë, madje pyete se ‘kush nga politika nuk ka dhënë këso shembujsh në të kaluarën?’.

“Po habitëm me disa që e kanë krijuar këtë gjendje, që po mundohen edhe ata të na shesin moral, nuk është mirë. Plot jemi, krejt spektri politik. Kush është i politikës që nuk ka dhënë këso shembujsh në të kaluarën?”, kishte deklaruar Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte thënë se këto raste duhet të ndalen, duke filluar nga partia e tij.

“Partia ime ka disa vite që është në pushtet, por duhet ndalur kjo praktikë që kush e ka më së afërti pushtetin t’i punësojë njerëzit e vet”, pati deklaruar Veseli.

Punësimet partiake dhe familjare janë kritikuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.