Punëtorët e Trepçës thonë se po u rrezikohet jeta, kërkojnë ngritje pagash – paralajmërojnë protesta

Në orët e para të mëngjesit të 10 prillit, rreth 40 minatorë kanë mbetur të bllokuar në Minierën e Trepçës.

Defekti në ashensor pamundësoi daljen në sipërfaqe të minatorëve, të cilët qëndruan të bllokuar në minierë për rreth 14 orë.

Ky defekt në ashensor nuk po del të jetë shqetësimi i vetëm për punëtorët në minierën e Trepçës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, ka folur për sfidat që përballen çdo ditë minatorët.

Jonuzi tha për Front Online se mungesa e mjeteve adekuate për minatorët, po ua rrezikon jetën.

Ai thotë se kushtet e punës në minierën e Trepçës janë të rënda.

“Punëtorët janë duke u hasur me mungesë të mjeteve edhe ato që janë aktualisht janë shumë të konsumuara dhe janë shumë shpesh në rrezik për jetë. Shkaku i mungesës së investimeve në mjetet e punës, punëtorët aty gjenden në situata të vështira dhe kushtet e punës janë jashtëzakonisht të rënda”, u shpreh Jonuzi.

Kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, tha se pakënaqësia që kanë minatorët janë, pagat.

Jonuzi thotë se nëse nuk ka ngritje të pagave në muajin maj, punëtorët e Trepçës mund të protestojnë.

“Pakënaqësia e punëtorëve të Trepçës është paga. Kanë pritë që të kenë rritje prej muajit mars por menaxhmenti ka vendosur që deri me 30 prill të ketë rritje të pagës, punëtorët i kanë dhënë këtë hapësirë dhe kohë. Por mbas 30 prillit nëse nuk ka rritje të pagës kjo situatë nuk ka me kaluar lehtë nga ana e punëtorëve, pa ndonjë ankesë ose protestë. Mbetet me pa se çka do të vendosin punëtorët”, thotë Jonuzi.

Kreu i Sindikatës, Ibrahim Jonuzi, tha se ka edhe mungesë të punëtorëve në minierën e Trepçës, ai thotë se shumë shpejtë pritet me u pranuar disa punëtorë të rinj.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Me rreth 20.000 punëtorë, ai është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë.

Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, nga viti 1945 deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.