Punonjësit shëndetësorë: Të mos pengohet zbatimi i Ligjit për Pagat

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ka mbajtur sot takim me drejtorët e institucioneve shëndetësore që janë në varësi të SHSKUK-së, Federatën Sindikale të Shëndetësisë, dhe Odën e Mjekëve të Kosovës.

Pikë vetme e rendit të ditës, ishte diskutimi në lidhje me fillimin e zbatimit të Ligjit të ri për Paga, i cili ka filluar të zbatohet nga data 1 dhjetor.

“Qëndrim i përbashkët i të pranishmëve ishte se ky Ligj është i mirëseardhur për të gjithë profesionistët shëndetësor dhe se presin që në fund të këtij muaji punëtorët shëndetësor të marrin pagat me rritje”.

Në takim u tha se tendencat për të pezulluar zbatimin e këtij Ligji janë të pa pranueshme dhe kanë për qëllim të dëmtojnë progresin e arritur në drejtim të përmirësimit të përgjithshëm të mirëqenies së punëtorëve shëndetësor.

Ata i kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve vendimmarrëse të jenë të kujdesshme dhe mos ta pengojnë zbatimin e këtij Ligji për interesa të grupeve të ndryshme.