Putin e kërcënoi që të mos futet në NATO, Finlanda dërgon armë në Ukrainë

Finlanda do t’i sigurojë Ukrainës 2,500 pushkë, 150,000 gëzhoja për pushkë, 1,500 armë kundërtank me një goditje të vetme dhe 70,000 paketa racioni luftarak. Lajmin e bëri të ditur ditën e sotme qeveria finlandeze në një njoftim për shtyp.

“Situata në Ukrainë është jashtëzakonisht e vështirë për shkak të sulmit ushtarak të Rusisë dhe ka nevojë urgjente për [material] mbrojtjeje”, thuhet në deklaratë.

Vendi njoftoi të dielën se do të dërgonte jelekë anti-plumb, helmeta të përbërë dhe pajisje të ndihmës së parë në Ukrainë.

Kujtojmë se ditën e djeshme BE komunikoi sanksione të mëtejshme kundër Rusisë ndërsa u njoftua po ashtu se po bliheshin armë të cilat do të dërgohen në Ukrainë. Kjo është hera e parë që blloku financon mbështetje ushtarake për një shtet që ndodhet nën sulm.

Ditë më parë, Rusia e kërcënoi Finlandën dhe Suedinë që të mos anëtarësohen në NATO. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse paralajmëroi se pranimi i Finlandës ose Suedisë në aleancën e Atlantikut Verior do të shkaktonte një përgjigje serioze nga Moska.

Gjatë një konference për shtyp në Moskë, Maria Zakharova kërcënoi nëse ndonjë nga 2 vendet do të kërkonte të bashkohej me aleancën e sigurisë, “do të kishte pasoja të rënda ushtarake dhe politike që do të kërkonin që vendi të ndërmarrë hapa reciprokë“, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.