Putin: Nuk do të ketë ndërprerje të furnizimeve me naftë dhe gaz në Evropë

Rusia nuk ka ndërmend të pezullojë dërgesat e naftës dhe gazit në Evropë, pavarësisht sanksioneve të paprecedentë që janë vendosur ndaj Moskës nga Perëndimi, njoftoi sot presidenti rus Vladimir Putin.

“Ne do të përmbushim të gjitha detyrimet tona në fushën e furnizimit me energji. Ne do të furnizojmë gjithçka që kemi për të furnizuar”, tha Putin në një mbledhje të qeverisë, sipas agjencisë së lajmeve Interfax, duke e përshkruar Evropën si klientin kryesor për energjinë ruse.

Putin kërcënoi se do të ndërpresë furnizimet me gaz natyror për Gjermaninë për herë të parë në fillim të kësaj jave, pas vendosjes së sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.

“Ne kemi të drejtën e plotë për të marrë një vendim dhe të vendosim një embargo ndaj tranzitit të gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1, i cili sot funksionon me kapacitet maksimal”, tha të hënën zëvendëskryeministri rus Alexander Novak.

Rusia është furnizuesi më i madh i vetëm i naftës në Evropë, që përbën 30% të konsumit vjetor të Evropës.

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë partnerët tanë të huaj”, tha Putin, duke shtuar se të drejtat e investitorëve të huaj në Rusi që nuk donin të largoheshin nga vendi kishin nevojë për mbrojtje të besueshme.