Putin u adresohet rusëve: Shumica e pjesëtarëve të Wagner janë patriotë të Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, sonte i është drejtuar popullit të tij me një fjalim të gjatë.

Ai ka folur për zhvillimet e fundit dhe protestën që e bëri ndaj tij Grupi Wagner.

“Shumica dërrmuese e Wagner janë patriotë të Rusisë. Duke u kthyer prapa ata shmangën gjakderdhjen e mëtejshme”, tha Putin.

Putin ka deklaruar se do ta mbajë premtimin që kushdo që dëshiron nga pjesëtarët e Wagner të shkojë në Bjellorusi do t’ua mundësojë.

Në fjalimin e tij, i pari i rusëve tha gjithashtu se të gjitha vendimet e nevojshme për të neutralizuar kërcënimin e Wagner u morën që në fillim.

“Rebelimi do të ishte shtypur gjithsesi dhe organizatorët e kuptuan se veprimet e tyre ishin kriminale”, shtoi ai.

Gjithashtu, ai e falënderoi liderin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, për përpjekjet e tij për të zgjidhur situatën në mënyrë paqësore, por ai tha se ishte uniteti i shoqërisë ruse që luajti rolin vendimtar, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.