Qarkullonte me armë zjarri me vete, por telefonata e qytetarëve e çon në pranga

Në vijim të kontrolleve të ushtruara në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë si dhe mbi bazën e një telefonate nga qyetarët se një shtetas lëvizte me armë zjarri pa leje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Përmet organizuan operacionin “VINOKASHI”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

I.V., 39 vjeç, banues në fshatin Çepunë, Gjirokastër, pasi:

Në aksin rrugor Ballaban-Këlcyrë, në vendin e quajtur “Kthesa e Fshatit Ujëmirë”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin ky shtetas udhëtonte si pasagjerë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri (pistolet TT) dhe 45 fishekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Përmet për hetime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal, njofton Policia e Shtetit.