Që 4 vjet nuk di gjë për fatin e fëmijës, babai padit institucionet për neglizhencë

Qytetari Shkelzim Murtezi, ka ngritur kallëzim penal ndaj zyrtarëve përgjegjës në Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës dhe Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, për neglizhencë dhe mosveprim në rastin e siç tha ai rrëmbimit të djalit të tij.

“Sot kam ngrit kallëzim penal për rrëmbimin e fëmijës tim që 4 vjet, fati i tij ende nuk dihet, a është gjallë, i shitur apo çfarë ka ndodhur me të, fëmija është ilegalisht në një shtet tjetër po dyshojmë se është në Belgjikë kemi verifikuar edhe në shtete tjera, e kemi një urdhërarrest ndërkombëtar i lëshuar nga Gjykata në Prishtinë është i regjistruar në Interpol nga Policia Belge”, tha ai.

Murtezi tha se zyrtarët policorë nuk e kanë zbatuar urdhrin për të dërguar urdhërarrest ndërkombëtar.

“Policia e Kosovës nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës dhe asnjëherë nuk ka hapur rast në lidhje me rrëmbimin e fëmijës tim dhe tani është Interpoli, kjo tregon se Policia që nga fillimi ka bërë vepër penale sepse nuk ka hapur rast, unë si prind nuk e di se çfarë ka ndodhur me fëmijën tim por as organet e rendit nuk e dinë”.

“Ka shkelje të ndryshme nga policët, për të mos penguar hetimin jam udhëzuar të mos përmend emra, këtë ndoshta do ta bëj prokuroria vetë, kam kërkuar nga prokuroria masa tjera gjatë hetimeve, pres arrestimin e këtyre matrapazëve që mbajnë veshur uniformat e policisë, fëmija im që 4 vjet nuk ka asnjë kontroll mjekësore nuk dihet fati i tij”, tha ai.

“Ne e kemi Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, por nuk ka marrë asnjë veprim për të mbrojtur interesat e fëmijës”, shtoi ai, raporton EO.