Qendra historike e Vlorës zgjeron mushkëritë e qytetit (video)

Rikualifikimi i qendrës historike të Vlorës po e bën qytetin bregdetar jo vetëm destinacion për detin dhe plazhin, por edhe për historinë dhe kulturën e pasur. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke sjellë pamje të qendrës historike që po merr formë, tha se kjo po ndodh “sepse Vlora nuk është vetëm det, por edhe histori, edhe kulturë”.

“Do të duhej të kalonin shumë vite që të ndërmerrej një hap i vështirë dhe i rëndësishëm, ai i rikualifikimit të Qendrës Historike. Një kthim në identitet, që do të zgjerojë mushkëritë e qytetit”, theksoi Margariti.

Qendra historike e Vlorës është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “Lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar edhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni./atsh