Qeriqi thotë se institucionet i anashkaluan veteranët e UÇK-së, paralajmëron protesta

Xhevdet Qeriqi nga Këshilli për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve, ka thënë se një pjesë e madhe e veteranëve të UÇK-së vazhdojnë të ballafaqohen me probleme shëndetësore dhe ekonomike.

Ai është ankuar se institucionet në vend nuk kanë bërë mjaftueshëm për këtë kategori. Ai thotë se pas shumë presioneve Kuvendi ka miratuar ligjin për veteranë, ndonëse shton se shumë akte nënligjore të tij nuk respektohen.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë ndarë fonde për këto kategori por sipas tij, nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Qeriqi në RAPORT të KTV-së ka thënë se janë duke i shqyrtuar edhe protestat si shenjë pakënaqësie për anashkalimin e shoqatave të dala nga lufta.

“Është e vështirë ta kenë trajtimin adekuat sepse kanë plagë të ndryshme. Një pjesë prej tyre janë shëruar jashtë, institucionet kanë ndarë disa fonde, por kemi raste që kanë ende nevojë dhe nuk po arrijnë t’i sigurojnë mjetet për shërim”, ka thënë ai.

Qeriqi ka shtuar se është premtuar se do të ndërtohet një qendër post-traumatike për ish-luftëtarët e UÇK-së, por se një gjë e tillë nuk është realizuar kurrë.

Sipas tij, si pasojë e kësaj janë rreth 50 ish-luftëtarë që kanë bërë vetëvrasje për shkak të traumave por edhe për gjendje të rëndë ekonomike.

Tutje ai ka thënë se institucionet kanë bërë pak që t’iu ndihmojnë ish-ushtarëve të UÇK-së.

“Deri në vitin 2015 veteranët nuk kanë përfituar asgjë, por për shkak të presioneve e grevave që kemi bërë kemi arritur q këto kategori të përfitojnë së paku pensione”, ka thënë ai.

Qeriqi është shprehur pesimist se do të ndryshojë qasja ndaj këtyre personave nga institucionet.

Ai thotë se janë duke diskutuar që të organizojnë protestë në mënyrë që institucionet të mos i anashkalojnë këto kategori.

Ai thotë se ata nuk kanë hyrë fare në Pakon Emergjente.