Qerkini: Pantiqi është dashur të jetë në qendër të paraburgimit

Avokati Artan Çerkini ka thënë se ish-polici Dejan Pantiq është dashur të jetë në qendrën e paraburgimit.

Këto komente i ka bërë ai në Klan Kosova, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’i caktuar atij masën e arrestit shtëpiak.

“Ndoshta në fillim është mirë t’i sqarojmë disa çështje të cilat kanë të bëjnë me institutin e paraburgimit si institut procedural ku në bazë të kodit të procedurës penale thuhet natyrisht se paraburgimi nuk është dënim, por është mashë procedurale. Pse një personi i ndërpritet apo i zëvendësohet paraburgimi me ndonjë masë më të butë, nuk do të thotë se ka pushuar procedura penale”.

Në pyetjen se a është dashur Pantiq të ndodhej në një qendër të paraburgimit, ai ka thënë se nuk ka dyshim për një gjë të tillë.

“Nuk ka dilemë se ai është dashur të jetë në ndonjë qendër të paraburgimit, mirëpo rrethanat kanë qenë të tilla që e kanë pamundësuar transportimin e tij prej Jarinjës ku është arrestuar në një qendër të paraburgimit”.

“Në këtë rast edhe gjyqtari ka qenë në pozitë të palakmueshme sepse e ka caktuar masën e paraburgimit me video-link, nuk është përgjegjësi e gjyqtarit me tërheq një person prej atje dhe me pru, është përgjegjësi e institucioneve tjera që atë person të ja sjellin atij në shqyrtim gjyqësor”.

“Kompetencat janë të ndara edhe me kodin e procedurës penale, por edhe me ligjet tjera në fuqi”.