Qesharake: Akoma nuk kanë dalë 50 eurot e para, por Drejtoria hap konkurs të ri për ata që janë infektuar me COVID

Disa muaj më herët, në vitin 2020, Komuna e Mitrovicës mori vendim që të infektuarve me COVID t’u ndahen nga 50 euro.

Mirëpo, Drejtoria e Financave dështoi t’i paguante me buxhet të kaluar, e ato 50 euro qytetarët nuk i kanë marrë ende, shkruan “Jepi zë”.

Por, kjo nuk e ka penguar Drejtorinë e Shëndetësisë që të hap konkurs të ri për të përfituar nga 50 euro.

Nga kjo drejtori është njoftuar sot për hapjen e konkursit dhe ka ftuar qytetarët të aplikojnë.

Ndryshe, “Jepi zë” ka raportuar disa herë për mospagesën e këtyre obligimeve ndaj qytetarëve. Komuna, po ashtu, nuk ka paguar as për fëmijët e posalindur.

Njoftimi i plotë nga Drejtoria e Shëndetësisë????

Komuna e Mitrovicës njofton të gjithë qytetarët rezidentë të komunës së Mitrovicës se ka filluar faza e dytë e aplikimit për mbështetje financiare prej 50 euro për të gjithë të infektuarit me virusin Covid-19 të cilët janë pjesë e listës së IKSHP-së.

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë ata qytetarë të cilët janë kontaktuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si të shëruar.

Aplikimi është i hapur në afat të pacaktuar andaj lusim të gjithë qytetarët të cilët janë aktualisht pozitiv me virusin Covid-19 të respektojnë periudhën e izolimit prej 14 ditësh dhe pas të pranojnë konfirmimin si të shëruar, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të aplikuar për mbështetje financiare.