Qeveria 5 me 5: LDK’ja kthehet te propozimi i vjetër

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka bërë publike ofertën e tyre për Vetëvendosjen, ofertë kjo e cila nuk dallon shumë nga ajo që kishte kërkuar më parë Isa Mustafa dhe krerët e tjerë të LDK’së, shkruan Gazeta Metro.

LDK’ja në propozimin dërguar VV’së është kthyer te oferta e tyre e vjetër, ku kërkojnë që ta kenë presidentin, kryeparlamentarin dhe pesë ministri.

Numri i ministrive ndërkaq mbetet 12, vetëm se bëhen disa ndryshime në strukturë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK’ja.

Deri në zgjedhjen e Presidentit, VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.

Në anën tjetër Albin Kurti edhe zyrtarisht ka thyer premtimin e parë që kishte bërë gjatë zgjedhjeve dhe pasi fitoi ato, ai deri pak dite kishte thënë se qeveria që drejton ai do të ketë vetëm 12 ministri, por kjo ka ndryshuar dhe do t’i ketë 14 ministri.

“Në takimin e fundit me ekipin e LDK’së na është thënë që propozimi ynë për arritjen e marrëveshjes së koalicionit do t’i dërgohet Këshillit të Përgjithshëm të subjektit të tyre politik për vlerësim (pranim ose refuzim). Andaj është e pakuptimtë të deklarohet se jemi në pritje të propozimeve të reja nga ana e Vetëvendosjes! Propozimi ynë i nxjerrë (si kompromisi i katërt brenda të njëjtit takim), mbrëmë i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi, Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton assesi), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe pas zgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh)”, ka shkruar nënkryetari i parë i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, i cili publikoi detajet e kësaj oferte të Kurtit.

Tashmë, janë bërë 100 ditë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, dhe nuk ka asgjë konkrete që do të jetësonte një marrëveshje mes tyre, gjithsesi edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka njoftuar se do të drejtohet për interpretim në Gjykatë Kushtetuese, pasi Vetëvendosje ende nuk ka dorëzuar propozimin për mandatarin./gazetametro.net