Qeveria deklarohet pas takimit të kryeministrit Kurti me ambasadorin amerikan

Zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi, ka thënë se takimi i kryeministrit Albin Kurti me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier ka qenë takim i shkurtër ku janë diskutuar shumë tema.

Kelmendi tha se takimi i sotëm i Kurtit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, përfshirë edhe atë amerikan ka qenë një ndër takimet, siç e ka quajtur ajo, të shpeshtë.

“Me vendet e QUINT-it, e posaçërisht me Ambasadorin amerikan, sikurse edhe atë evropian, Kryeministri zhvillon shpesh takime. Takimi i sotëm ka qenë një takim i shkurtër, kanë biseduar për shumë tema”, tha Kelmendi.

Para rreth dy orëve ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u pa duke hyrë në objektin e Qeverisë derisa nuk kishte ndonjë njoftim për medie paraprakisht për ndonjë takim.

Kurti e as Hovenier nuk janë deklaruar para medieve pas takimit, derisa zëdhënësja Kelmendi i është përgjigjur pyetjeve të teve1.info përmes përgjigjes së shkruar.