“Gjykata Speciale mund ta ndërrojë komplet narrativën për historinë e Kosovës“

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, tha se Gjykata Speciale mund ta ndërrojë komplet narrativën lidhur me historinë e Kosovës.

Ai pretendon se ka diçka djallëzore në mënyrën se si janë përzgjedhur figurat e UÇK-së nga Gjykata Speciale.

“Duhet të jemi realë, Gjykata Speciale në situatën e fundit mund ta ndërrojë komplet narrativën për historinë e Kosovës. Unë e kam bërë një analizë të shkurtër lidhur me personat që janë akuzuar nga Gjykata, ka një paralelizëm të frikshëm me disa nga figurat kyçe që janë akuzuar nga tribunali i zyrtarëve shtetëror të Serbisë. Në esencë ka diçka djallëzore në mënyrën se si janë përzgjedhur figurat e UÇK-së. Pra, janë zgjedhur disa figura kryesore për ta krijuar një lloj paralelizmi me figurat kryesore që janë të gjykuar në Tribunalin Penal”, tha Krasniqi në Teve1.

Krasniqi, gjithashtu tha se në qoftë se Gjykata Speciale do i dënojë krerët e shtetit, do të krijohet një situatë e cila mund të ketë efekte të rënda.

Tutje, ai tha se serbët e Kosovës, mund të ngrisin pretendime se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili është produkt i krimeve të luftës.