Qeveria drejt finalizimit të platformës për aplikimin e studentëve për 100 euro

Pas hapjes për aplikim për punëtorët e sektorit privat, funksionalizimi i platformës për studentët do të ndodh shumë shpejt.

Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu duke shtuar se aplikimi do të bëhet përmes e-Kosova.

“Jemi afër finalizimit të platformës për aplikim për shtesën prej 100 euro për studentë. Ditëve në vijim do të dalim me njoftim dhe udhëzimet mbi procesin e aplikimit. Aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova”, tha Kryeziu për telegrafin.

Aplikimi për këto shtesa do të jetë i hapur deri më 20 maj 2022.

Më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shtesë në muajin prill.

Familjet që përfitojnë asistencë sociale do të kenë po ashtu dyfishim të vlerës së saj për këtë muaj.

Nga kjo ndihmë, siç ka thënë Kurti, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se më 15 prill janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për pensionistët.

Edhe të punësuarit e sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit, sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, nuk kanë nevojë të aplikojnë sepse subvencionin do ta marrin me pagën e muajit prill.

Ndihma e Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas një inflacioni të lartë që ka goditur vendin.