Nesër në ora 10:00, Hoti përballë Vucic

Nesër pritet të filloj takimi në mes të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic.

Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), ka bërë të ditur se nesër në orën 10:00 do të rifilloj dialogu në mes të Beogradit dhe Prishtinës i lehtësuar nga Bashkimi Europian.

“Ky takim do të mbahet në formën e videokonferencës. Do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë të Dialogut që nga viti 2018 dhe do të pasohet nga një takim personal i nivelit të lartë në Bruksel të enjten, më 16 korrik”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Diskutimi i nivelit të lartë të dielën do të udhëhiqet në Brukseli nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Nënkryetari i Komisionit Evropian Josep Borrell i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE’së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor Miroslav Lajçk.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic do të bashkohet nga distanca njëri nga Prishtina e tjetri nga Beogradi përmes videokonferencës.

Dialogu është planifikuar të fillojë në orën 10:00. Mbulimi i fotos dhe video do të sigurohet nga EEAS dhe do të transmetohet në Këshillin e BE dhe kanalet EbS.

Përfaqësuesi i Lartë do të bëjë një deklaratë të shkurtër për shtyp para fillimit të videokonferencës dhe Emisari Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajčák, do të përmbledhë diskutimet në një deklaratë video në fund të takimit. Këto deklarata do të transmetohen në kanalet e Këshillit dhe EbS në mes orës 10:00 dhe 15:00 respektivisht.

Më parë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte vendosur të niste më 27 qershor përmes një takimi në Shtëpinë e Bardhë, takim që ishte thirrur nga Richard Grenell, i dërguari i Posaçëm i Presidentit Amerikan Donald Trump.

Takimi u pamundësua për shkak të akuzave për krime gjatë luftës së Kosovës që iu ngritën nga Prokuroria Speciale në Hagë presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Ky pritet të paraqitet të hënën për t’u përballur me to.