Qeveria fillon ndarrjen e 60 milionë eurove për afër 37 mijë biznese private nga Pakoja e Rimëkëmbjes

Qeveria e Kosovës sot ka filluar zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike duke lëshuar 60 milionë euro për afër 37 mijë biznese private në Kosovë.

Këto para do të shkojnë direkt në llogarinë e bizneseve për punëtorët që kanë deklaruar. Përfitues më shumë do të jenë bizneset më të vogla.

Kryeministri Avdullah Hoti bashkë me ministren Hykmete Bajrami dolën në një konferencë për media ku thanë se kjo është ndër masat e para që do të pasohen edhe me tjera në ditët në vijim dhe u zotuan se do të sanojnë thuajse të plotë dëmin që shkaktoi pandemia.

“Masat që janë paraparë me këtë vendim janë punuar plotësisht bashkë me bizneset. Pra, është menduar që ne direkt të hymë në ekonominë e bizneseve që janë ndikuar. Kriteret janë të qarta pa procedura të aplikimit duke marrë për bazë numrin e të punësuarve. Komisioni e ka bërë një punë në afat rekord duke i marrë të dhënat nga sistemi ia ATK-së”.

“Vendimi ka qenë që të sigurojë një gjithëpërfshirje të bizneseve në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje. Komisioni ka nxjerrë listën finalë prej 36 679 biznese do të përfitojnë 60 milionë euro. Këto biznese kanë deklaruar 206, 852 punëtorë. Për detajet do të informoheni më vonë dhe do të shihni që përfituesit më të mëdhenj janë bizneset më të vogla. Ato biznese që kanë deri në 10 punëtorë do të përfitojnë 45.5 për qind të shumës totale prej 60 milionë. Firmat me 10 deri në 51 punëtorë përfitojnë 26.67 për qind e kështu me radhë”.

15,500 biznese që i kanë pasë të dhënat e përditësuara i kanë marrë tanimë mbështetjen prej 37.3 milionë euro. Pjesa tjetër do të paguhet sapo të përditësohen të dhënat.

Ndërkaq, ministrja Hykmete Bajrami tha se ditët e ardhshme do të përfitojnë edhe skemat e tjera.

“Kemi punuar ditë e natë për hartimin e listave finale. Sot i kemi në proces mbi 15 mijë ndërmarrje dhe është bërë rimbursimi për to. Sot pasdite dhe nesër paradite do të kryhen këto pagesa”.

Bajrami iu bëri thirrje bizneseve që të azhurnojnë të dhënat e tyre, sidomos të xhirollogarive.