Qeveria: Gjendja drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë e Skenderaj – në Klinë e vështirë

Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se situata pas vërshimeve në vend është duke shkuar drejt stabilizimit në qytetet si Mitrovica, Istogu, Skenderaj ku edhe janë dërguar ekipe shtesë për menaxhim raporton Fokusi.info.

Ndërkaq, thuhet se gjendja e vështirë mbetet në Klinë, ku do të dërgohen disa përforcime shtesë për ndihmë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me të gjitha institucionet e saj vartëse po vazhdon angazhimin e saj në përballje me vërshimet e shkaktuara pas reshjeve të mëdha. Aktualisht situata po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj. Në Mitrovicë dhe Skenderaj janë dërguar dhe kanë arritur gjashtë ekipe shtesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave konkretisht nga tri ekipe shtesë për këto dy komuna. Situata mbetet më e vështirë në Klinë, ku po dërgojmë përforcime shtesë me zjarrfikës nga komunat përreth.”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Qeveria është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me Policinë e Kosovës dhe të gjitha njësitë e zjarrfikësve, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë.

Në fund, Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke shtuar se mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik emergjent 112./Fokusi.info/