Qeveria i hakmerret njeriut që ktheu në punë Njazi Thaçin e Bedri Istrefin, shkarkon drejtorin e Inspektoratit

Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Inspektoratit të Punës, Valon Lecin, i cili prej disa kohësh po mbante pozitën më të lartë të institucionit që mbikëqyr kushtet e punëtorëve.

Një burim brenda Inspektoratit e ka konfirmuar shkarkimin e ushtruesit të detyrës, Valon Lecit.

“Po, Valon Leci është shkarkuar sot gjatë ditës”, ka thënë burimi.

Ndërkohë, Reporteri ka provuar të flas me Lecin për të konfirmuar këtë gjë, mirëpo telefoni i tij ka qenë i paqasshëm.

Vlen të theksohet se Inspektorati i Punës ka nxjerrë vendim për t’i kthyer në punë dy drejtora të shkarkuar nga Qeveria e Kurtit, Bedri Istrefin e Telekomit dhe Njazi Thaçin e KEK-ut.

Inspektorati i Punës që deri tash drejtohet nga Valon Leci, tani i shkarkuar, kishte konstatuar se shkarkimet janë joligjore dhe kishte marrë vendim që të dy të kthehen në punë.

Sidoqoftë, Qeveria Kurti vazhdon të thotë se shkarkimet s’do të ndalen pasi, siç thonë ata, kanë në mend reformimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Për disa shkarkime, Qeveria është kritikuar për arbitraritet, ndërkohë që kritika ka pasur edhe për emërime partiake, të cilat nuk i kanë fshehur partia në pushtet.