Qeveria i shpall terroriste dy grupe brenda Kosovës

Qeveria e Kosovës i ka shpallur terroriste dy organizatat “Mbrojtja Civile” e “Severna Brigada”.

Këto organizata paraqesin rrezik për Kosovën, tha kryeministri Albin Kurti, duke u bazuar në informacionet prej institucioneve të sigurisë.

Dy grupet në fjalë, sipas Kurtit, kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, kanë penguar lëvizjen e lirë dhe kanë detyruar serbë të marrin pjesë nëpër protesta dhe të rezistojnë në veri, përmes barrikadave të vendosura.

Po ashtu, shefi i qeverisë u shpreh se këto grupe tashmë të shpallura terroriste, kanë sulmuar Policinë e Kosovës, EULEX-in, KFOR-in, qytetarët si dhe kundërshtarët politikë.

“Duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pa dallim me elemente terroriste, duke përfshirë dhe duke mos u kufizuar në sulmet e armatosura ndaj PK-së, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë, thirrje për rezistencë dhe mos-bindje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm edhe përmes zjarrvënies së pronës publike dhe private, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për pjesëmarrje në protesta dhe barrikada dhe forma të tjera të rezistencës, organizimi dhe pengimi i zbatimit të vendimeve të institucioneve të rendit, rekrutimi dhe trajnimi i pjesëtarëve për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake me baza ushtarake në Serbi, me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, kanosje dhe frikësim i qytetarëve në veri tv Kosovës, subjekteve politike dhe kandidatëve më qëllim pengimin dhe tërheqje nga procesi zgjedhor dhe parandalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, “Mbrojtja Civile” e “Severna Brigada” shpallen organizata terroriste në Kosovë”, tha Kurti.

Gjatë mbledhjes së ekzekutivit, Kurti u shpreh se niveli i rrezikut nga këto formacione ilegale është i lartë.