Qeveria Kurti i vendos sanksione Amerikës

Albin Kurti ka goditur sot drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i prekur interesat e saj në Kosovë.

Qeveria Kurti u është përgjigjur sot me sanksione Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas kërcënimeve se Amerika mund të marrë masa, si ndëshkim për shkak të refuzimit për heqjen e taksës pa asnjë kusht.

Këto masa nga SHBA, siç është raportuar, fillimisht do të jenë ekonomike, që përfshijnë ndaljen e investimeve prej qindra-miliona eurove, e pastaj masat mund të shtrihen edhe në aspektin e angazhimit ushtarak amerikan, shkruan Periskopi.

Qeveria e Kosovës sot ka shfuqizuar vendimin që ia mundësonte korporatës amerikane Bechtel Enka edhe 50 milionë euro shtesë për ndërtimin e dy kyçeve dhe një mbikalimi në Autostradën “Arbën Xhaferi”.

Propozimi është dhënë nga Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ndërsa është mbështetur nga Kryeministri Kurti dhe i gjithë kabineti qeveritar.

Abdixhiku, në një postim në profilin e tij në Facebook, ka treguar se rrugët me Bechtel-Enken ndahen këtu.

Me këtë vendim, i cili godet një kompani amerikane, çarja e raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Amerikës mund të thellohet edhe më tej.

Nuk dihet ende se cili do të jetë reagimi amerikan.

Aktualisht, Kosova është duke përjetuar pikën më të ulët të marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se koalicioni qeveritar VV-LDK nuk është duke marrë parasysh kërkesat dhe sugjerimet amerikane për të ardhmen e Kosovës.