“Qeveria Kurti po e pranon Asociacionin”

0
120

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka thënë se ajo që duhet të diskutohet është që fillimisht duhet të qartësohet se nuk mund të ketë zhvillim individual të shteteve të Ballkanit, pa një bashkëpunim ndërshtetëror që do të pasohej pas një njohje të subjektivitetit dhe pas një barazie të qyteteve të Ballkanit.

Tutje, Krasniqi thotë se çdo hapje dhe çdo marrëveshje bashkëpunimi qoftë tregtie të lirë në rajon pa ndërtimin e një barazie mes atyre që janë ekonomikisht më të fort dhe atyre që janë ekonomikisht më të dobët, prapë do të prodhonte kriza dhe thellim të pabarazisë.

“Kjo i bije se ne jemi që të hapen tregjet edhe bashkëpunimi rajonal, sepse është e vetmja mënyrë që të zhvillohemi sepse është e vetmja mënyrë që si rajon të zhvillohemi sepse si shtete individuale është e pamundur të krahasohemi me fuqitë ekonomike botërore. Por, kjo duhet ta ketë për bazë barazinë, përndryshe do të bëhet një marrëveshje që u konvenon vetëm atyre që kanë fuqi të madhe ekonomike që në këtë rast është Serbia”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi thotë se në nismën “Open Ballkan” nuk ka barazi, e cila nismë sipas tij, mund të tingëllojë në frymën e një bashkëpunimi rajonal, por nuk është duke u ndërtuar mbi bazën e një njohje të një subjektiviteti të secilit dhe të një barazie që i mbron vendet më të pazhvilluara ekonomikisht.

“Kosova në këtë aspekt është e çakorduar dhe pa një projekt të tillë që në një mënyrë përfundimtare do t’i zgjidhte krizat e Ballkanit. Kosova çfarë po bënë është që publikisht po i refuzon nismat e tilla, siç ia bëri “Open Ballkan”, por në anën tjetër me veprimet e saj vazhdimisht po merr veprime që janë në linjën e njëjtë me “Open Ballkan”, siç është veprimi që qytetarët e Malit të Zi dhe të Serbisë mund të qëndrojnë në Kosovë pa viza për 3 muaj dhe në të njëjtën kohë është ky vendimi për heqjen e taksës ndaj produkteve ndërtimore që vijnë prej Serbisë”, është shprehur Krasniqi.

Ai, po ashtu ka kritikuar edhe veprimet e Qeverisë së Kosovës ku tha se kjo qeveri po del me veprime gati absurde e deri diku edhe populiste e të forta kundër Serbisë, por në anën tjetër po e pranon asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kosova del me veprime gati edhe absurde e deri diku edhe populiste e të forta kundër Serbisë, por në anën tjetër merr veprime si përshembull pranimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, heqja e kësaj takse, mosvendosja e reciprocitetit dhe së fundi edhe këto propozimet për SEFTA të cilat janë të gjitha në kuadër të një bashkëpunimi rajonal që nuk e ka si parakusht barazinë”./Klankosova.tv.